Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, po merr pjesë në Sesionet e 147-ta dhe 148-ta të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), që po mbahen në Bruksel nga 25 deri më 27 qershor 2026.
Këshilli i OBD-së është organi më i lartë vendimmarrës i organizatës, ku drejtuesit e administratave doganore nga vendet anëtare diskutojnë prioritetet strategjike dhe zhvillimet kryesore në fushën doganore.
Gjatë sesioneve po shqyrtohen raportet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe komiteteve teknike, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve, standardet doganore, rregullat e origjinës, vlerësimin dhe klasifikimin e mallrave, si dhe lehtësimin e tregtisë dhe përdorimin e teknologjisë në procedurat doganore.
Në agjendë përfshihen gjithashtu çështje të qeverisjes, financave dhe buxhetit të organizatës, si dhe miratimi i kalendarit të aktiviteteve të ardhshme.
Dogana e Kosovës thekson se pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar dëshmon përkushtimin për modernizim, avancim të reformave dhe përafrim me standardet globale të OBD-së, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën doganore.




