Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, ka marrë pjesë në Forumin e 19-të të Dubrovnikut, ku është diskutuar marrëdhënia mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Forumi, i mbajtur me temën “Epoka e multipolaritetit: Shumë drejtime, një e ardhme”, mblodhi liderë politikë, diplomatë dhe ekspertë për të trajtuar zhvillimet globale, sigurinë dhe procesin e zgjerimit të BE-së.
Kapetanović theksoi se angazhimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është një domosdoshmëri strategjike dhe se premtimet politike duhet të shoqërohen me reforma konkrete, investime dhe bashkëpunim rajonal.
Ai shtoi se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në merita dhe të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët.
Në kuadër të forumit, ai zhvilloi edhe takime me përfaqësues të vendeve të rajonit dhe BE-së për të diskutuar bashkëpunimin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.




