Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në mars të vitit 2027 do të fillojë rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, me një kohëzgjatje “shumë të shkurtër”.
Ai e bëri deklaratën gjatë një vizite në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviq” në Batajnicë, ku tha se kjo masë do të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Sipas tij, më parë do të përfundojnë procedurat burokratike dhe vendimi duhet të kalojë edhe në Kuvendin e Serbisë.
Vuçiq nuk saktësoi kohëzgjatjen e shërbimit, por më herët ishte përmendur mundësia që ai të zgjasë rreth 75 ditë.
Serbia e kishte hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, ndërsa diskutimet për rikthimin e tij janë intensifikuar vitet e fundit.




