Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vendimeve për rikthimin e emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë, duke i cilësuar si veprime që prekin kujtesën historike dhe identitetin e shqiptarëve.
Ai tha se përdorimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon rikthen simbolikën e një regjimi që ka shtypur shqiptarët, ndërsa përmendi edhe trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në konfliktet e ish-Jugosllavisë.
Sipas tij, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të cenohen dhe Marrëveshja e Ohrit duhet të respektohet plotësisht si bazë e stabilitetit dhe barazisë në vend.




