Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se zyrtari policor Rexhep Gashi ka humbur jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën kufitare në Vërmicë.
Përmes një reagimi publik, Sveçla ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi, kolegët e të ndjerit dhe gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Në këto momente të rënda qëndrojmë pranë familjes për të ndarë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe”, ka deklaruar ai.
Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale, me qëllim parandalimin e tragjedive të tilla.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për zyrtarin policor Rexhep Gashi, i cili deri në çastet e fundit të jetës i shërbeu me përkushtim Republikës së Kosovës”, ka shtuar ministri.




