Mbi 3,000 mësimdhënës në Kosovë nuk do të financohen nga granti i arsimit gjatë vitit 2026, duke krijuar një barrë shtesë financiare prej më shumë se 24 milionë eurosh për komunat, thuhet në një raport të Institutit GAP.
Sipas raportit, Ministria e Financave ka larguar nga granti 3,101 mësimdhënës, pasi financimi është përcaktuar sipas numrit të nxënësve dhe raportit nxënës–mësimdhënës.
GAP thekson se komunat do të duhet ose të harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me normativat e Ministrisë së Arsimit, ose të mbulojnë pagat e stafit shtesë nga buxhetet e tyre.
Kostoja më e lartë pritet të bie mbi Gjilanin, me mbi 2.5 milionë euro, pasuar nga Gjakova me mbi 2.3 milionë euro dhe disa komuna të tjera, përfshirë Pejën, Malishevën, Podujevën, Rahovecin, Suharekën, Skenderajn dhe Mitrovicën.




