Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen, ku ka diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve, zhvillimet e fundit brenda partisë dhe situatën politike në vend.
Pas takimit, LDK-ja ka publikuar pesë pika kryesore, ku ndër të tjera ka shprehur mbështetje për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për vazhdimin e mandatit të tij në udhëheqjen e proceseve politike dhe organizative.
Në komunikatën e publikuar thuhet se kryesia e vlerëson angazhimin e strukturave, kandidatëve dhe anëtarësisë gjatë procesit zgjedhor, ndërsa rritja e shënuar e LDK-së vlerësohet si pozitive. Megjithatë, sipas partisë, rezultati nuk i ka përmbushur synimet dhe pritjet politike.
“Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare”, thuhet në komunikatë.
LDK ka theksuar se zgjedhjet e brendshme partiake do të mbahen në afatin e rregullt, duke bërë thirrje që çdo çështje të trajtohet përmes mekanizmave demokratikë të partisë.
“Kryesia Qendrore riafirmon se vendimmarrja demokratike dhe respektimi i shumicës mbeten parime të panegociueshme të organizimit tonë politik”, thuhet më tej.
Në fund, LDK-ja ka ftuar anëtarët dhe strukturat e saj që angazhimin ta fokusojnë në forcimin e partisë dhe rritjen e besimit qytetar, duke theksuar se “LDK është më e madhe se secili prej nesh”.




