Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e vendeve kandidate në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar 14 korrikun si një ditë të veçantë për zgjerimin e BE-së.
Në një video-mesazh të publikuar në platformën X, Kos bëri të ditur se për herë të parë pas më shumë se dy dekadash po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit në të njëjtën ditë.
Sipas saj, Shqipëria do të shënojë një tjetër përparim në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave.
“Katër vendet që janë në krye të procesit – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po bëjnë hapa të rëndësishëm përpara”, ka deklaruar Kos.
Ajo shtoi se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt.
Kos theksoi se ky ritëm i krijuar duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në zbatimin e reformave në vendet kandidate.




