Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur, pasi Garda Revolucionare e Iranit ka pretenduar se ka kryer sulme me raketa balistike ndaj një baze ajrore në Jordani ku, sipas saj, ndodhen forca amerikane.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane Fars News, Teherani tha se sulmet janë pjesë e një operacioni hakmarrës, duke pretenduar gjithashtu se ka goditur sisteme radari dhe objekte ushtarake amerikane në Bahrein.
Ndërkohë, autoritetet jordaneze kanë bërë të ditur se kanë rrëzuar katër raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit nga territori iranian.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës, Ambasada e SHBA-së në Abu Dhabi dhe Konsullata e Përgjithshme në Dubai kanë pezulluar përkohësisht shërbimet konsullore.
Tensionet janë shtuar edhe pas raportimeve se dy anije cisternë me flamur të Emirateve të Bashkuara Arabe u goditën nga raketa iraniane në Ngushticën e Hormuzit, ku mbeti i vrarë një marinar.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara dhe autoritetet e Bahreinit nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve të Iranit./Sinjali/




