Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A ka përfunduar me sukses riparimin e rregullt vjetor dhe është rikthyer në operim.
Sipas KEK-ut, procesi i startimit ka nisur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:00, ndërsa njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15, pas përfundimit të procedurave teknike dhe kontrolleve të nevojshme.
Nga KEK kanë bërë të ditur se rikthimi i Njësisë A4 në operim do të forcojë kapacitetet vendore të prodhimit dhe do të rrisë gatishmërinë teknike për përgatitjet e sezonit dimëror.
Korporata ka falënderuar ekipet teknike, inxhinierët dhe punonjësit e Termocentralit Kosova A për angazhimin në realizimin e riparimit.




