Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se vendimi për kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim me kusht i takon vetëm gjyqtarit përkatës.
Sipas përgjigjes së Speciales, gjyqtari do të marrë vendim në përputhje me ligjin dhe rregulloren, ndërsa arsyetimi do të publikohet në kohën e duhur.
Mbrojtja e Thaçit ka kërkuar lirimin me kusht, duke ofruar garanci, përfshirë një dorëzan prej 50 mijë eurosh. Në kuadër të kushteve të propozuara, thuhet se Thaçi nuk do të largohej nga Kosova, do të dorëzonte dokumentet e udhëtimit dhe do të përmbahej nga deklaratat publike për çështjen e tij.
Gjithashtu, sipas kërkesës së mbrojtjes, ai nuk do të diskutonte përmbajtjen e procesit gjyqësor me persona jashtë ekipit të tij mbrojtës.




