Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Konjufca ka thënë se një deklaratë e tillë nuk duhet të kalojë pa reagim, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian një dënim të qartë publik.
Sipas tij, retorika që lavdëron krimet e luftës është e papajtueshme me vlerat evropiane dhe paraqet kërcënim për stabilitetin në rajon.
Ai ka kërkuar që BE-ja t’ia rikujtojë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurohet që deklarata të tilla të kenë pasoja në procesin e integrimit evropian.
Ndërkohë, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka thënë se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.




