Pas pranimit të fajësisë nga Eqrem Avdullahu për kanosjen ndaj tij, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se do të vazhdojë rrugën ligjore ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, fyejnë UÇK-në dhe veteranët.
Gucati deklaroi se pretendimet e bëra ndaj tij janë të pavërteta dhe se për to do të vendosë drejtësia. Ai bëri të ditur se ka ngritur padi edhe ndaj disa personave në Gjermani e Zvicër.
“Secili veteran apo familje e dëshmorit që ndihet i fyer, duhet t’i drejtohet drejtësisë dhe jo të merret me fjalosje”, tha Gucati.
Avokati i tij, Halim Shala, tha se synimi është mbrojtja e integritetit të OVL-UÇK-së dhe që rastet e tilla të marrin epilog ligjor.




