Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar për rrezik të shtuar nga moti i lig më 22 korrik, duke ngritur nivelin “portokalli” të alarmit për mundësi stuhish, reshje të dendura, breshër dhe bubullima.
Sipas IHMK-së, kushtet atmosferike mund të shkaktonin dëmtime në rrugë, rrjetin energjetik, telekomunikacion, përmbytje të shpejta lokale, si dhe dëme në objekte, automjete dhe kultura bujqësore.
Megjithatë, gjatë kësaj date në Kosovë nuk u shënuan zhvillimet e pritshme të motit. Meteorologu Mendim Rugova ka shpjeguar se situata ishte e vështirë për t’u parashikuar me saktësi, pasi stuhitë e pritura në rajon nuk depërtuan në territorin e Kosovës.
Sipas tij, ndryshimet e shpejta atmosferike mund të ndikojnë në parashikimet brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke bërë që kushtet e motit të ndryshojnë edhe në 24 orë./EO/




