Qeveria në detyrë ka miratuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikësit, me qëllim standardizimin e procesit të përzgjedhjes dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të njësive të zjarrfikjes dhe shpëtimit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo rregullore është në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026-2028 dhe synon përmirësimin e funksionimit të shërbimeve të emergjencës.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se rregullorja përcakton procedurat, kriteret dhe përgjegjësitë institucionale për rekrutimin e zjarrfikësve, duke krijuar një sistem më transparent dhe të bazuar në meritë.
Sipas tij, shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit është një komponent i rëndësishëm i sigurisë publike, ndërsa përzgjedhja e personelit profesional është thelbësore për reagim më efikas në situata emergjente.
Miratimi i kësaj rregulloreje vjen në një periudhë kur rreziku nga zjarret rritet, duke shtuar nevojën për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të këtij shërbimi.




