Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për dhënien me qira për 15 vjet të një pjese të pronës publike në zonën kadastrale të Reçakut, në Komunën e Shtimes, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se vendimi është përgatitur në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe pas marrjes së pëlqimeve nga institucionet kompetente.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 61 mijë e 402 metrash katrorë tokë në zonën kadastrale Reçak, e cila do t’i jepet me qira operatorit ekonomik “Toni Kompani” SH.P.K. për shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
Sipas Mujës, kontrata parasheh pagesën e qirasë sipas ligjit, si dhe obligimin e qiramarrësit për përdorim të përgjegjshëm dhe mirëmbajtje të sipërfaqes së marrë në shfrytëzim.
Ai ka theksuar se vendimi synon shfrytëzimin e resurseve natyrore në përputhje me kornizën ligjore, duke respektuar interesin publik dhe kriteret mjedisore.




