Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka njoftuar se Qeveria ka miratuar dy vendime të rëndësishme në fushën e digjitalizimit.
Vendimi i parë i hap rrugë nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian për përfshirjen e Kosovës në zonën “EU Roam Like at Home”, e cila synon heqjen e tarifave të roaming-ut ndërmjet Kosovës dhe vendeve të BE-së.
Sipas Jagxhiut, kjo do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian të përdorin shërbimet e telefonisë mobile pa kosto shtesë të roaming-ut. Përfitime pritet të kenë edhe bizneset dhe diaspora, përmes uljes së kostove të komunikimit.
Ai bëri të ditur se Projektligji për Komunikimet Elektronike, i harmonizuar me legjislacionin e BE-së, është përgatitur dhe së shpejti do të dalë në konsultim publik, ndërsa ARKEP-i ka nisur përgatitjet për zbatimin e rregullave të reja.
Vendimi i dytë ka të bëjë me miratimin e kornizës për ngritjen e kapaciteteve digjitale në administratën publike. Sipas ministrit, kjo kornizë synon zhvillimin e aftësive digjitale të stafit, përmirësimin e shërbimeve publike, përdorimin më efikas të teknologjisë dhe forcimin e transformimit digjital në institucionet e Kosovës.




