Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, deklaroi se partia nuk do të marrë pjesë në takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve të reja pa u adresuar gjashtë kërkesat programore të saj.
Ai theksoi se kërkesat nuk lidhen me ndarjen e pushtetit apo poste qeveritare, por me politika që, sipas Aleancës, janë në interes të shtetit. Tahiri shtoi se partia nuk kërkon pjesëmarrje në qeveri, por zbatimin e projekteve dhe reformave që i ka bërë publike.
Mes kërkesave kryesore janë përkrahja e projektit të gazit amerikan, ndërtimi i një termocentrali me thëngjill, rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lehtësira për bujqit, financimi i projekteve infrastrukturore dhe krijimi i një fondi të veçantë për investime në Prishtinë./EO/




