Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të disa pamjeve, ku pretendohet se ndaj një delegati të Kuvendit të partisë është ushtruar presion përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një familjari të tij.
LDK ka dënuar çdo formë presioni, shantazhi apo kërcënimi, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e partisë dhe ligjin.
Në reagimin e saj, partia ka theksuar se vendimmarrja e delegatëve duhet të jetë e lirë dhe pa ndikime nga frika apo presioni. LDK ka bërë të ditur se do të nisë procedura disiplinore ndaj çdo anëtari që mund të rezultojë i përfshirë në këtë rast, pavarësisht pozitës që mban.
Po ashtu, LDK ka kërkuar nga Prokuroria dhe institucionet e drejtësisë që të hetojnë rastin dhe të sqarojnë të gjitha rrethanat, në mënyrë që të përcaktohet nëse ka përgjegjësi ligjore.
Partia ka përsëritur qëndrimin se nuk do të tolerojë veprime që cenojnë proceset demokratike dhe lirinë e votës së anëtarëve të saj.




