Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe mbrojtjes së të akuzuarve, duke konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Shkodran Pulajt, Roksana Kaçikut dhe katër personave të tjerë.
Të akuzuarit Shkodran Pulaj, Ymridin Krasniqi, Xhevahir Koqinaj, Flamur Shala, Liridon Krasniqi dhe Roksana Kaçiku janë dënuar së bashku me mbi 7 vjet burgim dhe 6 mijë e 800 euro gjobë për veprat penale të shitblerjes së narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Pulaj është dënuar me 3 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë, ndërsa personat e tjerë janë dënuar me nga 10 muaj deri në 1 vit burgim dhe gjoba përkatëse.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë është i bazuar në prova dhe se nuk ka pasur shkelje procedurale. Sipas saj, janë vërtetuar elementet e veprave penale përmes dëshmive, ekspertizave dhe provave të tjera materiale.
Përveç dënimeve, gjykata ka urdhëruar edhe konfiskimin e armëve, municionit dhe pajisjeve të tjera të sekuestruara gjatë hetimeve.




