Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kosova nuk mund të vazhdojë pa afat me ushtrues detyre në postin e Presidentit të vendit.
Ai ka theksuar se zgjidhja e vetme është zgjedhja e Presidentit të ri brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, më së largu deri më 4 tetor.
Sipas Cakollit, dështimi i subjekteve politike për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të shërbejë si arsye për tejkalimin e kufirit kushtetues të ushtrimit të detyrës.
Ai ka paralajmëruar se një interpretim që do të lejonte vazhdimin e mandatit të ushtruesit të detyrës përtej afatit gjashtëmujor do ta humbte kuptimin e kufizimit kushtetues.
Cakolli ka thënë se një situatë e tillë do t’u mundësonte partive politike të bllokonin procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe, përmes ndryshimit të kryetarit të Kuvendit, të mbanin këtë pozitë me ushtrues detyre për një periudhë të pacaktuar.




