Policia ka raportuar për dy raste të zjarrvënieve në toka bujqësore në komunën e Klinës, ku pronarët kanë pranuar se u kanë vënë zjarrin hamulloreve pas korrjes së grurit.
Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Caravik, ku një person ka djegur hamulloret, ndërsa zjarrfikësit kanë intervenuar për lokalizimin e zjarrit. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh.
Rasti i dytë është regjistruar në fshatin Dollc, ku zjarri kishte përfshirë rreth 2-3 hektarë tokë bujqësore. Edhe në këtë rast, pronari ka deklaruar se e kishte ndezur zjarrin për pastrimin e pronës, ndërsa ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh.
Policia ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj personave që rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve përmes zjarrvënieve dhe ka apeluar për kujdes gjatë aktiviteteve që mund të shkaktojnë zjarre.





