Në Zubin-Potok është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, një projekt që synon rritjen e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bëhet fjalë për një investim strategjik, pasi kanali furnizon me ujë termocentralet, tokat bujqësore dhe nëntë komuna me mbi 500 mijë banorë.
Sipas tij, projekti, me vlerë rreth 18 milionë euro, përfshin rehabilitimin e 37 segmenteve përgjatë kanalit dhe ndërtimin e një rezervuari me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, që do të shërbejë si rezervë në raste emergjente.
Kurti theksoi se investimi synon jo vetëm reagimin ndaj rreziqeve, por edhe parandalimin e tyre, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm me ujë dhe energji.




