Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka deklaruar se mbështet rritjen e pagës minimale në 500 euro, por kundërshton mënyrën se si është marrë vendimi, duke theksuar se ai është bërë pa analiza të plota ekonomike, dialog social dhe masa mbështetëse për bizneset.
AKB i ka bërë thirrje Qeverisë të publikojë analizat mbi ndikimin e pagës minimale në tregun e punës, bizneset, konkurrueshmërinë dhe ekonominë informale, si dhe të sqarojë procedurat e ndjekura për miratimin e vendimit.
Sipas organizatës, rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet me lehtësime fiskale, mbështetje për bizneset dhe politika që nxisin punësimin formal, në mënyrë që të shmangen humbja e vendeve të punës dhe rritja e ekonomisë informale.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se Kosova ka nevojë për paga më të larta, por edhe për biznese më të forta, duke kërkuar dialog ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve për ta bërë të qëndrueshme pagën minimale prej 500 euro.




