Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të OSBE-së ka organizuar punëtorinë “Luftimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimit: Etika në media gjatë fushatave zgjedhore”, ku u prezantua edhe Udhëzuesi për media “Raportimi etik për zgjedhje”.
Pascale Roussy, drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të adresuar dezinformimin.
“Përpara fushatës zgjedhore që fillon në fund të kësaj jave, ne po mbështesim Komisionin e Pavarur të Mediave për të realizuar një fushatë ndërgjegjësimi për të nxitur publikun të reflektojë, të marrë kohë për të menduar dhe të verifikojë para se të besojë ose ndajë përmbajtje në rrjetet sociale”, tha Roussy.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, theksoi nevojën për respektim të etikës nga mediat gjatë fushatës zgjedhore.
“Është e rëndësishme që edhe një herë t i përkujtojmë obligimet që kanë mediat dhe gazetarët që të bashkëpunojmë se si të shkojmë tutje që fushata zgjedhore të karakterizohet jo me dezinformim, jo me gjuhë të urrejtjes por të jetë një fushatë që respekton rregullat e etikës”, tha ai.
Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, theksoi se gazetarët duhet të jenë besnikë ndaj profesionit të tyre dhe zëri i tyre të mos manipulohet.Ai nënvizoi se roli i Komisionit nuk është vetëm rregullator, por edhe edukues dhe mbështetës i mediave që ndjekin etikën profesionale.
Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, bëri thirrje që mediat dhe gazetarët të mos bëhen palë në zgjedhje. Ai bëri thirrje që gazetarëve të sigurohet qasje e barabartaëpër të raportuar për tubimet politike.
”Fatkeqësisht, në zgjedhjet e fundit gjatë kohës së fushatës zgjedhore për ditën e zgjedhjeve kemi pasur edhe rrezikim të sigurisë fizike të gazetarëve që është e pa pranueshme, partitë politike duhet të jenë në gjendje të ju ofrojnë akses të barabartë për të gjithë gazetarët për të mbuluar tubimet e tyre zgjedhore”, tha ai.




