Kuvendi i Kosovës ka publikuar detaje nga seanca konstituive e Legjislaturës XI, gjatë së cilës deputetët dhanë betimin dhe u miratua raporti për verifikimin e mandateve.
Seanca u drejtua nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i asistuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi. Fillimisht u formua Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, raporti i të cilit u miratua nga deputetët, përpara se ata të bënin betimin.
Në pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministri në detyrë dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve me partitë parlamentare lidhur me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Kurti tha se synon vazhdimin e dialogut me të gjitha partitë parlamentare, duke theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të mbështetet në një konsensus sa më të gjerë politik. Sipas tij, kjo do të shmangte një krizë të re institucionale dhe zgjedhje të parakohshme.
Pas kërkesës së tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se, meqenëse subjekti më i madh parlamentar nuk kishte paraqitur kandidat për kryetar të Kuvendit, seanca ndërpritet, ndërsa data e vazhdimit do të bëhet e ditur në një njoftim të mëvonshëm.




