Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, ka ngritur shqetësime për gjendjen e industrisë vendore të qumështit, duke kritikuar vendimet e fundit institucionale që, sipas tij, po dëmtojnë prodhuesit kosovarë.
Ajvazi tha se është e padrejtë që një produkt i njëjtë lejohet të importohet në Kosovë, ndërsa prodhuesve vendorë u kufizohet prodhimi dhe eksporti i tij.
Ai theksoi se Shoqata e Prodhuesve nuk është kundër importeve dhe as kundër kontrolleve institucionale, por kërkoi që rregullat të zbatohen në mënyrë të barabartë për produktet vendore dhe ato të importuara.
Sipas Ajvazit, kufizimet ndaj sektorit të qumështit mund të kenë pasoja edhe për industri të tjera vendore. Ai kërkoi nga institucionet që të mbështesin prodhuesit dhe të krijojnë mundësi për zgjerimin e eksporteve në tregjet evropiane.
Ajvazi tha gjithashtu se prodhuesit vendorë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet për kontrollet e cilësisë dhe përmbushjen e standardeve të nevojshme./EO/




