Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948, i cili është raportuar i zhdukur më 2 korrik 2026 në Prishtinë.
Që nga raportimi i rastit, njësitet policore të hetimeve, njësiti i kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe patrullat policore, në koordinim me Prokurorinë dhe familjarët, kanë ndërmarrë kërkime të vazhdueshme për gjetjen e tij.
Janë intervistuar persona që mund të kenë informacione, janë kontrolluar pikat kufitare dhe janë kryer kërkime në zona ku i zhdukuri kishte frekuentuar më parë.
Policia njofton se kërkimet po vazhdojnë dhe, pas autorizimit nga prokurori i shtetit, u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion lidhur me vendndodhjen e Xhafer Raqit ta raportojnë në numrin 192 ose përmes emailit [[email protected]](mailto:[email protected]).




