PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të vazhdojë nesër në orën 11:00.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë seancën në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Ai u bëri thirrje edhe partive të tjera që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar nevojën për funksionalizimin e Kuvendit.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se situata aktuale është shqetësuese dhe kërkoi që seanca të mbahet pas përfundimit të afatit 48-orësh.
Aleanca dhe PDK-ja kanë paralajmëruar se fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale, ndërsa nuk kanë përjashtuar veprime të tjera politike nëse vazhdon bllokada e Kuvendit./EO/




