Policia e Kosovës ka njoftuar se ka larguar nga puna togerin policor A.V., me detyrë në DHTQNJ në Pejë, pas një serie shkeljesh disiplinore.
Sipas Policisë, ndaj zyrtarit janë iniciuar gjithsej 15 raste disiplinore, prej të cilave 13 janë trajtuar në nivel qendror dhe dy në nivel rajonal.
Tri raste kanë të bëjnë me shkrime dhe komente në rrjetet sociale, për të cilat janë shqiptuar masa disiplinore, përfshirë ndalesa në pagë dhe, në rastin e fundit, ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Policia tha se vendimi është marrë për shkak të vazhdimit të shkeljeve dhe dëmtimit të imazhit të institucionit. Ndaj vendimit palëve u është dhënë e drejta e ankesës në gjykatën kompetente.




