Policia e Kosovës ka prezantuar armët, municionin dhe pajisjet ushtarake të konfiskuara gjatë operacioneve të zhvilluara në 48 lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Materialet u ekspozuan gjatë një konference të jashtëzakonshme të mbajtur më 20 gusht në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri”.
Policia bëri të ditur gjithashtu se gjatë hetimeve për krime lufte ndaj popullatës civile janë zbuluar tri lokacione të dyshuara si varreza masive, ku janë gjetur mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave.
Për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të cilët ndodhen në paraburgim nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Policia ka njoftuar se hetimet dhe veprimet e mëtejshme po zhvillohen në koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë.




