Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në Prizren, ku një grua 80-vjeçare dyshohet se është vrarë në shtëpinë e saj.
Policia ka bërë të ditur se, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, janë krijuar dyshime për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas autoriteteve, lëndimet e konstatuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, pa përdorimin e armës apo ndonjë mjeti tjetër.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 81-vjeçari B.D., është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Policia ka njoftuar se çifti nuk kishte pasur më herët raste të raportuara të dhunës dhe se në momentin e incidentit ndodheshin vetëm në banesën e tyre./KlanKosova/




