Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën se si po menaxhohet përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor.
Lushaku ka deklaruar se vetëm pak ditë para nisjes së mësimit, mijëra nxënës ende nuk kanë informacion të qartë për sigurimin e teksteve shkollore. Sipas saj, vonesat po u shkaktojnë shqetësim prindërve dhe po krijojnë pasiguri për fillimin e procesit mësimor.
Ajo ka pretenduar se Ministria e Arsimit ende nuk e ka bërë të ditur shumën e subvencionimit për librat, ndërsa prindërit dhe libraritë presin vendimet përkatëse.
Sipas Lushakut, përgatitjet për vitin shkollor është dashur të përfundonin me kohë, pasi data e fillimit të mësimit ka qenë e ditur prej muajsh.
Ajo e ka cilësuar situatën si të papranueshme dhe ka akuzuar Qeverinë në detyrë për mungesë të organizimit në përgatitjet për vitin e ri shkollor.
Lushaku ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme në mënyrë që nxënësit të mos përballen me mungesë të teksteve në ditët e para të mësimit.




