Stacioni Policor në Malishevë ka identifikuar dy persona përgjegjës për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura, në dy raste të ndara më 8 shtator.
Rasti i parë është raportuar në rrugën “William Walker”, rreth orës 19:05, ndërsa i dyti në rrugën “Skënderbeu”, rreth orës 20:30. Sipas Policisë, zjarret kanë rrezikuar hapësirat përreth dhe kanë shkaktuar ndotje të ambientit.
Ndaj të dy personave janë ndërmarrë masa ligjore dhe secili është gjobitur me nga 500 euro, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia ka apeluar te qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura, veçanërisht në zona ku mund të rrezikohet prona dhe mjedisi.




