Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që i hap rrugën krijimit të shtetit të Palestinës.
Kjo deklaratë u inicua nga Arabia Saudite dhe Franca dhe kërkon një zgjidhje të konfliktit “mes dy shteteve të Izraelit dhe Palestinës”.
Kjo deklaratë u votua pro me shumicë dërrmuese prej 142 votash dhe 10 kundër mes të cilëve ishin edhe SHBA dhe Izraeli, kurse 12 vende votuan abstenim për rezolutën, mes të cilëve ishte edhe Shqipëria.
Rezoluta jo-detyruese që mbështet “Deklaratën e Nju Jorkut” përcakton një plan me faza për t’i dhënë fund konfliktit gati 80-vjeçar.
Para votimit kishte deklarata të shumta, duke përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu i cili tha se “nuk do të ketë shtet palestinez”.
Edhe ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, kundërshtoi rezolutën, duke thënë se përfituesi i vetëm është Hamasi.
“Kjo deklaratë e njëanshme nuk do të mbahet mend si një hap drejt paqes, por vetëm si një tjetër gjest i kotë që dobëson besueshmërinë e kësaj asambleje”, tha Danon.
Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, përsëritën kundërshtimin e tyre ndaj Deklaratës së Nju Jorkut dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme që mbështet zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.
“Rezoluta është një tjetër marifet publiciteti i gabuar dhe në kohën e gabuar që minon përpjekjet serioze diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Mos u gaboni, kjo rezolutë është një dhuratë për Hamasin”, tha këshilltarja e Misionit Amerikan Morgan Ortagus.




