Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka organizuar një takim me Guvernatorin e Bankës Qëndrore të Kosovës, Ahmet Ismajli, ku kanë diskutuar për zhvillimet në sektorin financiar.
Stabiliteti i sektorit financiar, ecuritë kryesore makroekonomike, aktivitetet e Bankës Qendrore në aspektin e reformave kyçe strategjike, si dhe avancimi i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, ishin disa nga temat e diskutimit gjatë takimit me Guvernatorin Ismaili.
Ismajli gjithashtu elaboroi zhvillimet në sektorin bankar duke konfirmuar adekuatshmërinë kryesore të shëndetshmërisë bankare, duke përfshirë nivelin e kapitalizimit, likuiditetit dhe stabilitetit të sistemit financiar në përgjithësi.
Në takim morën pjesë përfaqësues të kompanive anëtare të Odës Amerikane, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka falënderoi Guvernatorin Ismaili për gatishmërinë për të diskutuar me përfaqësuesit e sektorit privat dhe shprehu përkushtimin e Odës për të kontribuar në një dialog konstruktiv me BQK-në, duke vlerësuar lartë angazhimin dhe rezultatet e BQK-së në disa shtylla.




