Bashkimi Evropian, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencitë britanike të shëndetësisë e konfirmuan sigurinë e përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë, duke iu kundërvënë një paralajmërimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e lidhi ilaçin me autizmin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se dëshmitë për një lidhje mes autizmit dhe përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë mbeten jokonsistente dhe bëri thirrje për kujdes në dhënien e konkludimeve, raporton Reuters.
Trumpi të hënën e lidhi autizmin me përdorimin e vaksinave në fëmijëri dhe përdorimin e barit Tylenol, që në ShBA përdoret për paracetamolin, nga gratë kur janë shtatzëna.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha të martën se nuk ka dëshmi të reja që do të kërkonin ndryshim në rekomandimet e tanishme për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë.




