Konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka bërë që çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare të shënojnë rritje e me shtrejtim të derivateve është prekur edhe Kosova.
Çmimi për një litër naftë në tregun e Kosovës aktualisht varion nga 1.25 euro deri 1.35 euro
Në kohën kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare po shënojnë rritje si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, është prekur edhe Kosova me shtrenjtimin e derivateve.
Aktualisht, çmimi për një litër naftë në tregun e Kosovës varion nga 1.25 euro deri 1.35 euro.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka theksuar më parë se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme po ngjall frikë për ndërprerje të furnizimit global me naftë.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se Kosova është në prag të një rritje enorme të çmimeve të derivateve nga disa tregtarë që janë të lidhur ngushtë me LVV-në.
Kurse ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar ditë më parë se Kosova është më e mbrojtur sa i përket sektorit të naftës, por jo edhe për produkte të tjera esenciale.
Rreth 20 për qind e naftës botërore kalon përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme përdorin këtë rrugë për të transportuar energjinë nga rajoni. Çdo përpjekje për të ndërprerë operacionet në ngushticë mund të çojë në rritje të çmimeve globale të naftës.
Çmimet e naftës u rritën shpejt kur nisi tregtimi të hënën, me Brent që u ngjit në 81.40 dollarë për fuçi. Megjithatë, më pas ra përsëri në rreth 78 dollarë, duke u rritur 1.4 për qind në ditë.




