Një aksident i rëndë në vendin e punës është raportuar të hënën në lagjen “Prishtina e Re”, ku një punëtor ka rënë nga lartësia dhe ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK.
Rasti është iniciuar nga Policia si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 23 qershor 2025, rreth orës 12:00, është raportuar se Naim Musliu, 31-vjeçar, punëtor i një kompanie ndërtimore, është rrëzuar gjatë punës në një objekt në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë. Ai është dërguar me urgjencë në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit dhe në konsultim me hetuesin kujdestar, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet janë në zhvillim, ndërsa pritet të kryhen ekzaminimet teknike dhe verifikimi i kushteve ligjore të punës në kantier./sinjali




