Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë paralajmëroi se zvarritja e ngërçit politik po i kushton Kosovës që të ketë “zë të plotë e të besueshëm” në arenën ndërkombëtare dhe se po bllokon prioritetet jetike, nga buxheti deri tek reformat.
Ai u kërkon të gjitha palëve ta lejojnë Gjykatën Kushtetuese të bëjë punën e saj, të respektojnë pa mëdyshje vendimet e saj dhe poashtu të mundësojnë funksionalizimin e Kuvendit, zgjedhjen e qeverisë dhe gjithashtu zgjedhjen e presidentit në fillim të pranverës së ardhshme.
Sipas tij, përgjegjësia për zgjidhje është e përbashkët ligjore dhe politike duke shtuar se nëse kjo nuk arrihet, atëherë zgjedhjet e reja mbeten opsion, por me kusht që fillimisht zgjedhjet lokale të zhvillohen mirë dhe rezultatet të respektohen.
Hargreaves shton se është “zhgënjyese dhe shqetësuese” që edhe dialogu me Serbinë po ecën ngadalë për shkak të mungesës së institucioneve në Kosovë dhe zhvillimeve politike në Serbi.
Duke komentuar kushtin e vendosur nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për vazhdimin e dialogut, ekstradimin e Millan Radoiçiqit, Hargreaves thotë se është thelbësore që Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur.




