Jock Covey është dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike, në vjeshtën e vitit 1999.
Avokati kryesor i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq derisa prezantoi një dokument të OSBE-së, të qershorit të ’99-ës, tha se aty thuhej se “udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte arritur ta zbuste një konfrontim të mundshëm të dhunshëm kur ndaloi qindra persona të kalonin në pjesën që kontrollohej nga serbët në veri [të Mitrovicës]”.
Sipas dokumentit, Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi i OKB-së, Bernard Kushner, ka thënë se problemet do të zgjidheshin në mënyrë paqësore.
Dëshmitari pohoi se kjo përputhej me atë cka ai ka dëgjuar, ndërsa theksoi se thirrje të tilla ka pasur edhe para se ata të shkonin në Kosovë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.




