Kombëtarja sllovene nuk e ka nisur aspak mirë kampanjën kualifikuese të Botërorit 2026. Sllovenët barazuan në shtëpi në muajin shtator me Suedinë, 2:2, ndërsa më pas u mposhtën nga Zvicra, 0:5, duke e bërë më të vështirë synimin për një kualifikim eventual në Kupën e Botës.
Për këtë është i vetëdijshëm edhe selektori Matjaž Kek, i cili sot e shpalli listën e të ftuarve për dy ndeshjet e tetorit, kundër Kosovës dhe ndaj Zvicrës.
Trajneri slloven është i vetëdijshëm se vetëm fitoret në këto dy përballje mund t’i lënë gjallë shpresat e ekipit të tij, të paktën për ta kapur pozitën e dytë, e cila çon në “play-off”.
“Jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në Prishtinë dhe pastaj tri ditë më vonë në Lubjanë. Me gjithë respektin për Kosovën dhe Zvicrën… Por duhet t’i fitojmë këto ndeshje nëse duam diçka më shumë”, shtoi Kek.





