Cikloni i fuqishëm nga Deti Mesdhe tashmë ka marrë rrugëtimin drejt Greqisë, ku pritet të sjellë reshje të dendura nga sonte e deri të premten në Ballkanin Lindor dhe Qendror, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Serbinë dhe pjesërisht Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Nën këto kushte, të enjten dhe të premten, me depërtimin e masave të ftohta me origjinë nga Siberia, reshjet e shiut lokalisht do të shndërrohen në reshje bore, përfshirë edhe disa zona të ulëta, si Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe Serbi. Reshjet e borës janë fenomen mjaft i rrallë dhe i pazakontë për fillimin e tetorit në rajonin tonë.
Kjo ngjarje vjen si pasojë e fenomenit atmosferik “Rex Block”, ku një anticiklon (presion i lartë) vendoset në veri të një cikloni (presion i ulët). Kjo bën që moti të mbetet i bllokuar për disa ditë: rajonet nën presionin e lartë përjetojnë mot të qetë e me diell, ndërsa zonat më jugore nën presionin e ulët kanë reshje dhe kushte të paqëndrueshme.
Të enjten dhe të premten moti do të jetë i vranët dhe me reshje të dendura shiu dhe bore. Fillimisht, të enjten, bora do të shfaqet në zonat malore, ndërsa me depërtimin e masave të ftohta gjatë pasdites dhe mbrëmjes, pritet të përfshijë edhe disa zona të ulëta, kryesisht në Rrafshin e Kosovës.
Reshjet intensive të shiut dhe borës do të vazhdojnë edhe të premten. Më të përqëndruara priten në Rrafshin e Kosovës, kryesisht në formë bore dhe shqotës, ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit reshjet do të jenë kryesisht në formë shiu, me gjasa të ulëta për borë. Temperaturat maksimale do të lëvizin prej 1°C deri në 7–8°C në Rrafshin e Dukagjinit.
Në zonat ku reshjet janë më intensive dhe në formë shiu, mund të ndodhin vërshime lokale, ndërsa në zonat me reshje bore në Rrafshin e Kosovës priten shtresa lokale të borës, të paktën 5–15 cm në zonat e ulëta dhe të paktën 30 cm në zonat malore./MeteoKosova/




