Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së mërkurë do të dekorojë Presidentin e FIFA-së, Gianni Infantinon në vizitën e tij të dytë në Kosovë.
E për këtë ngjarje të rëndësishme, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur mirënjohje të thellë duke e quajtur si akt të lartë institucional që dëshmon respektin e Republikës së Kosovës për kontributin e Gianni Infantinos në zhvillimin e futbollit tonë.
Ademi ka shkruar se Infantino ka pasur fatin që të shpallë Kosovën anëtare me të drejta të plota në FIFA që në mandatin e tij të parë si President, duke e shënuar një moment historik për Kosovën.
Ademi në emër të FFK-së ka falendëruar Presidenten Osmani duke thënë se ky vendim forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet.
Sipas Ademit dekorimi i Presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe është një nder edhe për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm.




