Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim, një delegacion të Misionit të OSBE-së në Kosovë, të udhëhequr nga shefi i Seksionit për Ligj dhe Drejtësi, Mark Lasser, me të cilët diskutoi rreth thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet dy institucioneve.
Kryetari Rexhepi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së ndaj gjyqësorit, duke theksuar se përkrahja e këtij misioni është veçanërisht e rëndësishme për Gjykatën Supreme. Sipas tij, punëtoritë e organizuara me gjykatat e shkallëve më të ulëta gjyqësore, me qëllim të unifikimit të praktikës gjyqësore, janë të një rëndësie thelbësore.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i OSBE-së, Lasser, theksoi gatishmërinë e misionit për të vazhduar mbështetjen në forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit në sistemin gjyqësor në Kosovë.




