Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka theksuar rëndësinë e ekspozitës “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, e cila sjell para publikut fotografi dhe dokumente nga periudha e luftës, duke dëshmuar dhimbjen njerëzore dhe krimet e kryera ndaj civilëve.
Sipas institutit, ekspozita shërben si kujtesë e domosdoshme për të mos harruar të vërtetën dhe për të vazhduar kërkesën për drejtësi. IKKL-ja nënvizon përkushtimin e tij në dokumentimin dhe publikimin e materialeve historike për të mbrojtur kujtesën kolektive nga mohimi dhe shtrembërimi.
Kjo ekspozitë, e hapur në hollin e Kuvendit të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, u organizua nga Presidenca në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe IKKL-në.




