Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës duhet të realizohet në kuadër të dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai theksoi se ligjet e Kosovës duhet të jenë të zbatueshme në të gjitha 38 komunat, por se procesi i integrimit duhet të zhvillohet përmes dialogut dhe në koordinim me Bashkimin Evropian dhe komunitetet lokale. Westerlund vlerësoi si shenjë pozitive licencimin e mjekëve dhe profesorëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Edhe nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, e konsideroi integrimin të pashmangshëm, duke theksuar nevojën për gjetjen e modaliteteve praktike në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës./KP/




