Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë institucion si të politizuar, të paaftë dhe të dëmshëm për demokracinë zgjedhore në Kosovë.
Sipas Kryeziut, papërgjegjësia dhe mungesa e profesionalizmit të anëtarëve të KQZ-së kanë cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor dhe kanë dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Ai e ka quajtur skandaloz vendimin për mos publikimin e rezultateve përfundimtare për Listën Serbe, duke theksuar se ky veprim ka shkaktuar reagime nga bashkësia ndërkombëtare dhe rrezikon vonesa serioze në certifikimin e zgjedhjeve.
Kryeziu paralajmëron se këto vonesa mund ta çojnë vendin drejt shkeljes së afateve kushtetuese dhe një krize të re institucionale. Ai shton se, në një demokraci funksionale, përgjegjësit për këtë situatë do të duhej të largoheshin nga detyra, ndërsa ka kritikuar edhe rolin e anëtarëve opozitarë në KQZ, duke vënë në dyshim pavarësinë e tyre.




