Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka paralajmëruar inspektime në të gjithë vendin ndaj aktiviteteve të paregjistruara, duke kërkuar nga bizneset dhe individët që të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) para se të identifikohen nga inspektorët tatimorë.
ATK njofton se gjatë inspektimeve, nëse evidentohen aktivitete të paregjistruara, do të ndërmerren masa ligjore pa përjashtim, duke përfshirë:
Regjistrimin detyrueshëm të aktivitetit
Pajisjen me Numër Fiskal
Aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore
Sipas ATK-së, regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe ndihmon në krijimin e një konkurrence të drejtë në treg. Po ashtu, tatimpaguesit e regjistruar duhet të përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mospërditësimi përbën shkelje ligjore.
Administrata Tatimore thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë.




