Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka folur për diskutimet rreth zgjedhjes së presidentit të ri dhe pozicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me këtë proces.
I pyetur për emrin e Vjosa Osmani, Hoti ka theksuar se presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe me integritet, që përfaqëson të gjithë qytetarët, e jo një person që vepron në funksion të një subjekti politik.
Sipas tij, LDK-ja ka paraqitur dy alternativa për zgjidhjen e çështjes së presidentit: një kandidat jo-partiak dhe konsensual për të gjitha partitë, ose një kandidat të propozuar nga LDK-ja në kuadër të një marrëveshjeje politike me mazhorancën.
Hoti ka theksuar se përgjegjësia kryesore për suksesin apo dështimin e negociatave bie mbi Lëvizja Vetëvendosje, si forca më e madhe politike në vend. Ai ka shtuar se mazhoranca duhet të ndërtojë konsensus me partitë e tjera për të shmangur një krizë institucionale.
Kosova ka më pak se 48 orë në dispozicion për të zgjedhur presidentin e ri, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar disa takime me Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, por deri më tani nuk është bërë publik asnjë emër konkret nga Vetëvendosje. Hamza ka shprehur qëndrimin që kandidati për president duhet të propozohet nga Partia Demokratike e Kosovës.




